Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA)

Agjencia e Kosovës për Akreditim, konform Ligjit për Arsimin e Lartë, është institucion i pavarur, përgjegjës për sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë, përfshirë akreditimin, riakreditimin, monitorimin, validimin dhe të gjitha proceset tjera të sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë dhe programet e tyre të studimit në Republikën e Kosovës, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, përfshirë në veçanti standardet përkatëse evropiane në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Misioni, vizioni dhe qëllimet e AKA-së

Misioni i AKA-së është:

Të mbështesë zhvillimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë përmes procesit të vlerësimit të jashtëm dhe të sigurojë shoqërinë e Kosovës se cilësia e arsimit të lartë është në nivelin e standardeve ndërkombëtare.

Qëllimet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) janë:

  • të promovojë, përmirësoj dhe rrisë cilësinë e arsimit të lartë;
  • të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në sistemin e arsimit të lartë;
  • të përmirësojë cilësinë e studimeve në institucionet e arsimit të lartë;
  • të inkurajoj përmbajtje inovative në arsimin e lartë;
  • të sigurojnë krahasueshmërinë e kualifikimeve nga institucionet e arsimit të lartë të Kosovës me ato të dhëna nga programet ndërkombëtare;
  • të zbatojë objektivat për integrimin e Kosovës në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe të kontribuojë në zhvillimin e saj.

Vlerat që mbështesin punën e AKA-së janë:

  • Pavarësia – Vendimet e AKA-së merren në mënyrë të pavarur dhe të arsyetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të verifikueshme;
  • Transparenca – AKA udhëhiqet nga parimet e përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike përmes një politike efektive të informimit;
  • Besueshmëria – AKA organizon procese kredibile të sigurimit të jashtëm të cilësisë, ku komuniteti akademik dhe shoqëria në përgjithësi beson në punën e AKA-së;
  • Profesionalizmi – AKA aplikon standarde të larta profesionale të aplikuara në Evropë në proceset e sigurimit të jashtëm të cilësisë.