Në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Ndërkombëtar të Agjencive për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (INQAAHE), e cila po mbahet më 12 maj 2025 në Tokio, Japoni, një delegacion i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) është pritur në Universitetin Rikkyo dhe ka realizuar një vizitë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Japoni, ku është pritur nga ambasadori Sabri Kiçmari.
Delegacioni i AKA-së përbëhej nga kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), prof. Hasnije Ilazi, anëtari i KSHC-së, prof. Gëzim Tosuni, drejtori i përgjithshëm, Naim Gashi, drejtori për Monitorim dhe Procedura Pasakredituese, Shkelzen Gërxhliu, si dhe zyrtarja për procedura pasakredituese, Fjollë Ajeti.
Në Universitetin Rikkyo, delegacioni u prit nga Presidenti, Dr. Renta Nishihara, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtij institucioni. Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, si dhe për mundësinë e përfshirjes së ekspertëve japonezë në proceset e vlerësimit të programeve të studimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Universiteti Rikkyo, i njohur edhe si Saint Paul’s University, është një nga universitetet më prestigjioze private në Japoni, i themeluar në vitin 1874 nga misionari anglikan Channing Moore Williams. Ai ofron një gamë të gjerë programesh akademike në fushat e arteve, shkencave shoqërore dhe ekonomisë, dhe ka një përfaqësim të gjerë të studentëve ndërkombëtarë.
Në kuadër të vizitës zyrtare, delegacioni i AKA-së zhvilloi edhe një takim në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio, ku u prit nga ambasadori Sabri Kiçmari.
Gjatë takimit u diskutua për nxitjen e ndërkombëtarizimit të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë përmes pjesëmarrjes aktive në konferenca dhe forume ndërkombëtare të rëndësishme, si një mjet për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve akademike ndërkombëtare.





