I nderuar Zotëri/Zonjë,
Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AAK) fton aplikime nga ekspertë akademikë dhe studentë për panele ekspertësh. Këto panele realizojnë vlerësimin institucional dhe programor në arsimin e lartë në Kosovë dhe japin rekomandime për akreditim.
Procesi i akreditimit do të zhvillohet gjatë gjithë vitit dhe përfshin institucionet e arsimit të lartë (IAL) publike dhe private në Republikën e Kosovës.
Anëtarët e paneleve të vlerësimit të jashtëm, ndër të tjera, duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
– Të jenë profesionistë në fushën përkatëse të vlerësimit dhe të kenë përvojë në vlerësimin e cilësisë dhe proceset e akreditimit;
– Të kenë kualifikim shkencor PhD. Ky kriter nuk zbatohet për vlerësuesit studentorë, për të cilët pranohen kualifikimet BA ose MA;
– Të kenë njohuri dhe përvojë në mësimdhënien universitare në fushën përkatëse, përveç rasteve të vlerësuesve studentorë;
– Të kenë botime shkencore në një fushë të caktuar;
– Të kenë përvojë në menaxhimin dhe ofrimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë;
– Të kenë përvojë pune brenda një strukture organizative dhe administrative të një institucioni ose njohuri mbi sistemet menaxhuese;
– Të kenë përvojë në zhvillimin, zbatimin dhe vlerësimin e kurrikulave;
Përgjegjësitë sipas Manualit të Akreditimit të AAK përfshijnë:
– Rishikimin e dokumenteve të dorëzuara nga IAL para vizitës në terren;
– Realizimin e vizitës në IAL të organizuar nga AAK;
– Hartimin e raportit të rishikimit të jashtëm pas vizitës, në përputhje me Standardet e AAK;
– Finalizimin e raportit të rishikimit të jashtëm dhe dhënien e rekomandimit përfundimtar për akreditim përpara Bordit të AAK.
Vizita në një institucion të arsimit të lartë zgjat një ditë, dhe në disa raste mund të zgjasë dy ditë, në varësi të madhësisë së institucionit. Pagesa për secilin anëtar të panelit të ekspertëve është 1800 euro, plus 100 euro për shpenzime ditore dhe akomodim. Pagesa për secilin ekspert student është 900 euro, plus 100 euro për shpenzime ditore dhe akomodim. Shpenzimet e udhëtimit mbulohen gjithashtu nga AAK. Miratimi përfundimtar për emërimin e anëtarëve të panelit të ekspertëve bëhet nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë i AAK-së.
Të gjithë ekspertët e interesuar duhet të plotësojnë aplikacionin që mund të shkarkohet këtu dhe ta dërgojnë së bashku me CV-në dhe listën e publikimeve në emailin:
Thirrja është e hapur dhe aktive.