Gjatë një takimi me drejtuesit e Kolegjit Universum, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i ka inkurajuar institucionet e arsimit të lartë në Kosovë që të investojnë në fushën e kërkimeve shkencore dhe shkëmbimeve akademike, pasi që në këtë mënyrë ndikohet drejtpërdrejt në cilësinë në arsimin e lartë.
Kryetarja e KShC-së, profesoresha Hasnije Ilazi, ka treguar për praktikat më të mira ndërkombëtare, se si kanë ndikuar investimet në kërkime shkencore dhe shkëmbime akademike në cilësinë në arsimin e lartë.
Drejtuesi i Kolegjit Universum, Alejtin Berisha, ka thënë se vendosja e standardeve të reja nga KShC-ja po i inkurajon institucionet e arsimit të lartë të investojnë më shumë në kërkime shkencore. Berisha tha se në këtë institucion është ekziston Departamenti për hulumtime shkencore i cili ofron përkrahje për stafin akademik që të publikojnë hulumtime në revista ndërkombëtare.
Gjatë takimit me studentët e këtij kolegji, drejtori i Agjencisë së Akreditimit, Naim Gashi, i ka inkurajuar ata që të shfrytëzojnë maksimalisht kohën e studimeve për mësim, në mënyrë që të jenë kuadro të kërkuara në tregun e punës.




