Gjatë një vizite në Universiteti e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) më 20.12.2021, Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), profesoresha Hasnije Ilazi, ka kërkuar nga institucionet e arsimit të lartë (IAL) në Kosovë që të krijojnë më shumë hapësira për kuadrot e reja.
Kryetarja Ilazi ka thënë se përfshirja e profesionistëve të rinj në sistemin e arsimit të lartë, sidomos nga fushat ku ka mungesa të profileve të caktuara, ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë në programet studimore.
Ajo ka thënë se institucionet e arsimit të lartë, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, Agjencia e Akreditimit, komuniteti akademik dhe studentët janë bërë partnerë për ngritjen e cilësisë së studimeve dhe programeve akademike.
Rektori i UMIB, Alush Musaj, ka thënë se bashkëpunimi dhe përkrahja nga Agjencia e Akreditimit ka ndikuar shumë pozitivisht në zbatimin e standardeve të cilësisë dhe ka krijuar hapësira për zhvillim të universiteteve publike.
Rektori Musaj tha se ky institucion është përfshirë në të gjitha grupet punuese dhe konsultimet publike që i zhvillon Agjencia e Akreditimit për krijimin e politikave dhe standardeve të reja të akreditimit.
Së bashku me kryetaren Ilazi, për vizitë në UMIB, ishte edhe anëtari i KShC-së, profesori Dukagjin Zeka dhe drejtori i AKA-së, Naim Gashi.
Delegacioni i KShC-së, sot ka përmbyllur ciklin e vizitave të të gjitha institucione të arsimit të lartë të akredituara në Kosovë.



