Kryetarja e Këshilli Shtetëror të Cilësisë (KShC), profesoresha Hasnije Ilazi dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi kanë pritur në takim një delegacion të komunitetit turk në Kosovë, me të cilët kanë biseduar për zgjerimin e programeve akademike të komuniteteve në Kosovë, duke zbatuar standardet e cilësisë të cilat aplikon AKA.
Delegacioni nga komuniteti turk në Kosovë përbëhej nga ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka; nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, deputeti Enis Kervan dhe deputetja e komunitetit turk, Fidal Jilta.
Në takim mori pjesë edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, profesori Samedin Krrabaj.
Kryetarja e KShC-së, profesoresha Ilazi, tha në takim se AKA po bashkëpunon me universitetet publike për zgjerimin e programeve akademike në gjuhët e komuniteteve, në harmoni me standardet e cilësisë të cilat aplikon AKA.
Ministri Damka dhe deputeti Kervan, pohoi se janë të kënaqur me bashkëpunimin që kanë me Agjencinë e Akreditimit dhe mundësitë që po ofrohen për zgjerimin e programeve akademike në gjuhën turke.
Deputeti Enis Kervan, tha se krahas programeve në fushën e edukimit, që aktualisht ofrohen në gjuhën turke në Universitetin e Prizrenit, janë krijuar kuadro profesionale edhe në programet e studimit në fushën e ekonomisë dhe biznesit.



