Më 14 prill 2025, një delegacion i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), ka realizuar një vizitë zyrtare në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF).
Vizita u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.
Delegacioni i KSHC-së, i kryesuar nga Kryetarja, profesoresha Hasnije Ilazi, u prit nga Rektori i USHAF-it, Agron Bajraktari, si dhe nga prorektorët dhe stafi udhëheqës i universitetit.
Gjatë takimit, Kryetarja Ilazi i informoi nikoqirët për zhvillimet më të fundit në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, duke theksuar fillimin e hartimit të Planit Strategjik 2026–2030 dhe procesin e rishikimit të Standardeve për programet e doktoraturës.
Ajo vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes së të gjithë akterëve të sistemit të arsimit të lartë në këto procese, me qëllim të krijimit të një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për përmirësimin e cilësisë akademike në vend.
Në anën tjetër, Rektori Bajraktari falënderoi përfaqësuesit e KSHC-së për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin konstruktiv me AKA-në. Ai theksoi se kjo mbështetje ka qenë vendimtare për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në programet e studimit që ofron USHAF-i, duke reflektuar edhe në rritjen e besimit të studentëve dhe tregut të punës ndaj këtij institucioni.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, e vlerësoi USHAF-in si një model pozitiv të bashkëpunimit me Agjencinë, duke shtuar se ky universitet ka treguar përkushtim të lartë në përmbushjen e standardeve të cilësisë dhe në avancimin e ofertës akademike.
Gjatë vizitës, delegacioni i KSHC-së pati mundësinë të shohë nga afër edhe ambientet e universitetit, duke u njohur me infrastrukturën dhe kapacitetet që USHAF vë në shërbim të studentëve dhe stafit akademik.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe në funksion të ngritjes së standardeve të cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.






