Më 22 tetor 2024, Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) mbajti një takim me përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë (IAL) që ofrojnë programe studimore në fushën e arteve. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për përshtatshmërinë e bartësve të programeve studimore në fushën e arteve dhe mbledhja e kontributeve nga ekspertë të kësaj fushe.
Gjatë takimit, përfaqësues nga IAL-të e ndryshme ndanë përvojat e tyre mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me barazvlerësimin e gradave akademike në fushën e arteve. Propozimet e tyre ishin shumë të çmueshme, duke vënë në pah natyrën specifike të programeve artistike.
Qasjet e prezantuara nga IAL-të do të shqyrtohen nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) gjatë përgatitjes së rregulloreve të reja për përshtatshmërinë e bartësve të programeve në fushën e arteve.
AKA mbetet e përkushtuar që përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me IAL-të dhe të gjitha palët tjera relevante të sigurojë që programet e arteve në Kosovë të përmbushin standardet ndërkombëtare dhe të ofrojnë mundësi për sukses akademik dhe profesional në sektorët krijues.



