Një ekip i Divizionit të Monitorimit i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), më 26.02.2026, realizoi vizita monitoruese në programet Infermieri, Farmaci dhe Shëndeti Publik në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në kuadër të vlerësimit të vazhdueshëm të mirëmbajtjes së kritereve të cilësisë dhe plotësimit të rekomandimeve nga ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit.
Gjatë kësaj vizite u vlerësuan nga afër infrastruktura, kapacitetet laboratorike, stafi akademik, bartësit e programeve, si dhe proceset mësimore dhe ushtrimet praktike të studentëve.
Po ashtu, u diskutua për sfidat aktuale dhe mundësitë për përmirësim të mëtejshëm në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit dhe përgatitjes profesionale të studentëve.
Sipas Rregullores së AKA-së për Monitorim dhe Procedura Pas-akredituese, monitorimi është proces përmes të cilit AKA vlerëson nëse institucionet e arsimit të lartë vazhdojnë të përmbushin kushtet e akreditimit, rekomandimet e vlerësuesve të jashtëm dhe standardet e Manualit të Akreditimit.
Rregullorja parasheh që monitorimi të zhvillohet të paktën një herë gjatë ciklit të akreditimit, përmes vizitave fizike ose në distancë. Pas vizitës, AKA harton raportin e monitorimit, i cili shqyrtohet dhe miratohet nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), dhe shërben si pjesë e dokumentacionit për proceset e ardhshme të akreditimit.
Divizioni i Monitorimit falënderon stafin akademik, menaxhmentin dhe studentët për bashkëpunimin, transparencën dhe angazhimin e treguar gjatë procesit monitorues.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të standardeve akademike dhe forcimit të cilësisë në programet tona studimore.






