Në ditën e fundit të konferencës vjetore të organizuar nga Association of Technology, Management, and Applied Engineering (ATMAE), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të një numri të madh universitetesh nga shumë shtete amerikane, Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AKA) është nderuar për sukseset e saj ndërkombëtare dhe për bashkëpunimin e frytshëm në fushën e cilësisë në arsimin e lartë.
Wolt Pozgay nga ATMAE, organizatë prestigjioze amerikane që bashkon universitete, institute kërkimore dhe profesionistë nga fusha e teknologjisë, menaxhmentit dhe inxhinierisë së aplikuar, ka vlerësuar pjesëmarrjen e AKA-së në këtë organizim të rëndësishëm dhe ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e saj në ngritjen e standardeve të cilësisë dhe në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
Në fjalën e saj falënderuese para të pranishmëve, Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), Prof. Asoc. Dr. Hasnije Ilazi, ka theksuar rëndësinë e përkrahjes nga shteti, institucionet dhe organizatat e SHBA-së për zhvillimin e mëtejmë të AKA-së dhe për prezencën gjithnjë e më të gjerë të Agjencisë në kontinentin amerikan.
Prof. Ilazi gjithashtu ka paralajmëruar thellimin e bashkëpunimit me ATMAE përmes projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertëve dhe forcimit të lidhjeve ndërinstitucionale që kontribuojnë në avancimin e cilësisë në arsimin e lartë.





