Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi gjatë një pritje që i bëri drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, ka konstatuar se AKA po respekton plotësisht kornizën ligjore në Republikën e Kosovës dhe nuk rrezikohet nga asnjë kontest gjyqësor.
Avokati Istrefi e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e Avokaturës Shtetërore me Agjencinë e Akreditimit për të siguruar mbrojtje juridike në zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Istrefi dhe Gashi janë dakorduar që Avokatura Shtetërore do të përkrahë plotësisht Agjencinë e Akreditimit, jo vetëm për mbrojtjen juridike nëpër gjykata, por edhe për përpilimin e akteve juridike, në mënyrë që ato të jenë plotësisht në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe të mos mund të kontestohen nëpër gjykata.
Avokati Istrefi i ka mirëpritur masat e ndërmarra nga AKA për të garantuar siguri juridike ndaj të gjitha palëve.
Drejtori Gashi ka thënë se përkrahje e deritanishme e Avokaturës Shtetërore ka bërë që Agjencia e Akreditimit të mos humb asnjë rast nëpër gjykata.
Istrefi dhe Gashi janë dakorduar që në rast nevoje ata të marrin pjesë edhe personalisht në mbrojtjen e lëndëve të Agjencisë së Akreditimit nëpër gjykata.
Avokatura Shtetërore dhe Agjencia e Akreditimit kanë caktuar personat kontaktues në mënyrë që të lehtësohet bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.
Avokatura ka shprehur gatishmëri për të përkrahur AKA-në në rastet e përgatitjes së padive nëpër gjykata kur evidentohen shkeljet në sistemin e arsimit të lartë.



