Në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të ENQA, në Forumin 2024, në Hanover të Gjermanisë, në tri panele të njëpasnjëshme, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, ka prezantuar të gjeturat e projektit për “Rolin e agjencive të akreditimit në internacionalizimin e arsimit të lartë në Evropë”.
Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë përfaqësues të agjencive nga pesë shtete evropiane: Adriana Popoiu, ARACIS- Romania; Nataša Kramar, NAKVIS- Slovenia; Jasmine Rudolph, ACQUIN- Germany; Naim Gashi, KAA- Kosova; dhe Sona Gewisslerova, SAAHE- Slovakia.
Në emër të ekipit prej pesë shteteve drejtori Gashi ka prezantuar dhe më pas ka diskutuar të gjeturat e hulumtimit me përfaqësues të agjencive homologe në Evropë dhe udhëheqësit e ENQA.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të ENQA, Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, profesoresha Hasnije Ilazi dhe drejtori i AKA-së, Naim Gashi, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të ENQA dhe përfaqësues të agjencive të akreditimit në Evropë me të cilët kanë diskutuar për nxitjen e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta që kanë për qëllim rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.





