Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA)
Agjencia e Kosovës për Akreditim, konform Ligjit për Arsimin e Lartë, është institucion i pavarur, përgjegjës për sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë, përfshirë akreditimin, riakreditimin, monitorimin, validimin dhe të gjitha proceset tjera të sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë dhe programet e tyre të studimit në Republikën e Kosovës, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, përfshirë në veçanti standardet përkatëse evropiane në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Misioni, vizioni dhe qëllimet e AKA-së
Misioni i AKA-së është:
Të mbështesë zhvillimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë përmes procesit të vlerësimit të jashtëm dhe të sigurojë shoqërinë e Kosovës se cilësia e arsimit të lartë është në nivelin e standardeve ndërkombëtare.
Qëllimet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) janë:
- të promovojë, përmirësoj dhe rrisë cilësinë e arsimit të lartë;
- të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në sistemin e arsimit të lartë;
- të përmirësojë cilësinë e studimeve në institucionet e arsimit të lartë;
- të inkurajoj përmbajtje inovative në arsimin e lartë;
- të sigurojnë krahasueshmërinë e kualifikimeve nga institucionet e arsimit të lartë të Kosovës me ato të dhëna nga programet ndërkombëtare;
- të zbatojë objektivat për integrimin e Kosovës në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe të kontribuojë në zhvillimin e saj.
Vlerat që mbështesin punën e AKA-së janë:
- Pavarësia – Vendimet e AKA-së merren në mënyrë të pavarur dhe të arsyetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të verifikueshme;
- Transparenca – AKA udhëhiqet nga parimet e përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike përmes një politike efektive të informimit;
- Besueshmëria – AKA organizon procese kredibile të sigurimit të jashtëm të cilësisë, ku komuniteti akademik dhe shoqëria në përgjithësi beson në punën e AKA-së;
- Profesionalizmi – AKA aplikon standarde të larta profesionale të aplikuara në Evropë në proceset e sigurimit të jashtëm të cilësisë.