AKA prezanton në Qipro rolin e vlerësimit nga ENQA në zhvillimin e saj
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), që u mbajt nga data 9 deri më 11 prill 2025, në qytetin Paphos të Qipros, në të cilën kanë marrë pjesë delegacione nga më shumë se 40 shtete, është prezantuar publikimi “Roli i vlerësimit nga ENQA në zhvillimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim”.
Prezantimi është bërë nga Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), profesoresha Hasnije Ilazi dhe Drejtori i përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi.
Në këtë prezantim u shpalosën rezultatet konkrete të reformave të zbatuara nga AKA që prej vlerësimit të kaluar nga ENQA, duke përfshirë përmirësimin e kuadrit ligjor, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përputhshmërinë me Standardet dhe Udhëzuesit Evropianë për Sigurimin e Cilësisë (ESG).
Kryetarja Ilazi dhe drejtori Gashi theksuan se vlerësimi nga ENQA ka shërbyer si udhërrëfyes për transformimin institucional të AKA-së, duke forcuar pavarësinë operacionale dhe financiare të saj dhe duke rritur besueshmërinë tek palët e interesit, përfshirë institucionet e arsimit të lartë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në veçanti u vlerësua ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2023, i cili ka garantuar funksionimin e pavarur të AKA-së si trup rregullator dhe ka përforcuar rolin e KSHC-së në proceset vendimmarrëse. Po ashtu, u evidentua zgjerimi i stafit profesional, ngritja e infrastrukturës digjitale dhe themelimi i divizioneve të reja për ngritjen e cilësisë dhe analiza tematike.
Gjatë prezantimit u diskutua edhe të gjeturat nga raporti më i fundit i ENQA-së. Ky vlerësim konsiderohet një arritje e rëndësishme, duke pasur parasysh kompleksitetin e reformave të zbatuara dhe sfidat e jashtme me të cilat është përballur Agjencia.
AKA vlerëson se procesi i vlerësimit nga ENQA jo vetëm që ka ndihmuar në ngritjen e standardeve të brendshme, por gjithashtu ka promovuar një kulturë të përhershme të përmirësimit cilësor dhe të reflektimit institucional.
Pavarësisht përparimeve të rëndësishme, AKA është përballur me disa sfida thelbësore gjatë procesit të vlerësimit nga ENQA. Një ndër to është ndikimi i faktorëve të jashtëm që nuk varen drejtpërdrejt nga vetë agjencia, por që gjithsesi ndikon në përceptimin e saj institucional. Po ashtu, kompleksiteti i situatës ngriti dilema lidhur me çfarë ka më shumë rëndësi në një vlerësim: procesi, gjendja aktuale apo potenciali i ardhshëm? Një tjetër sfidë ishte interpretimi i kontekstit lokal në raport me standardet evropiane, që në disa raste çoi në keqkuptime ose vlerësime jo të plota për punën e agjencisë.
Përfaqësuesit e AKA-së shprehën mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm me ENQA-në dhe agjencitë homologe në Evropë, duke potencuar rëndësinë e këtyre partneriteteve për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
Prezantimi ngjalli interesim nga pjesëmarrësit në forum. Përfaqësues të agjencive homologe nga Evropa parashtruan pyetje lidhur me zhvillimet në AKA dhe përfitimet konkrete nga procesi i vlerësimit të ENQA, duke e vlerësuar përvojën e Kosovës si një rast suksesi dhe model të mirë për vendet në tranzicion.

Antare e plotë në:
![INQAAHE_logo_png[1]](https://akreditimi.rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/10/INQAAHE_logo_png1-300x106.png)
Më Shumë Nga Lajmet e Fundit
AKA organizon punëtori për avancimin e dokumenteve dhe proceseve institucionale
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), gjatë periudhës 28–31 tetor 2026, organizoi një punëtori me qëllim të shqyrtimit, plotësimit dhe finalizimit të dokumenteve të rëndësishme për funksionimin dhe avancimin e proceseve institucionale të Agjencisë. Gjatë [...]
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) mbajti mbledhjen e 155-të
Më 26 tetor 2026, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) mbajti mbledhjen e tij të 155-të të rregullt. Gjatë mbledhjes u shqyrtuan çështje të rëndësishme që lidhen me proceset [...]
AKA merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ENQA 2026 në Las Palmas de Gran Canaria, Spanjë
Prof. Avni Berisha, President i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), dhe Arianit Krasniqi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit Evropian për Sigurimin e [...]
Fillon Procesi i Monitorimit për Vitin Akademik 2026/2027
Divizioni për Monitorim ka filluar realizimin e procesit të monitorimit për vitin akademik 2026/2027, në kuadër të mandatit dhe përgjegjësive për mbikëqyrjen e zbatimit të standardeve të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë. Sot, [...]
Përfundoi me sukses Konferenca e Katërt Vjetore e AKA-së 2026
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) organizoi me sukses Konferencën e katërt vjetore, më 29 shtator 2026 në Prishtinë, me temën “Sigurimi i Brendshëm i Cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë: Nga Vlerësimi drejt [...]
KShC mbajti mbledhjen e radhës
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) mbajti më 28 shtator 2026 mbledhjen e radhës, në të cilën u trajtuan një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me sigurimin e [...]






