Lajmet e fundit

Published On: 20 Maj, 2026

AKA organizoi Gala mbrëmje me rastin e njohjes nga CHEA-SHBA

Krerë të institucioneve shtetërore, të Ambasadës Amerikane, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, përfaqësues nga vendet e rajonit, studentë, profesorë dhe miq të arsimit të lartë, kanë marrë pjesë më 19.05.2026 në gala mbrëmjen e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), me rastin e pranimit të saj në Këshillin për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA.

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), profesoresha Hasnije Ilazi, në fjalën hyrëse i falënderoi të gjithë akterët e arsimit të lartë, përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për bashkëpunimin dhe përkrahjen e dhënë në procesin e njohjes së AKA-së nga CHEA.

Kryetarja Ilazi tha se kjo njohje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm një pranim formal, por një konfirmim i cilësisë, vlerës dhe profesionalizmit të sistemit të sigurimit të cilësisë në Kosovë.

Ajo theksoi se cilësia në arsimin e lartë nuk matet nga madhësia e shteteve, por nga vlerat që ato përfaqësojnë. Kryetarja e KShC-së potencoi se rruga deri te kjo arritje ka qenë e mbushur me sfida dhe ka kërkuar vizion, përkushtim dhe durim, por mbi të gjitha aftësinë për të dëshmuar se Kosova është në rrugën e duhur.

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj tha se njohja e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (CHEA) është një nga arritjet më të rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë.

Ajo theksoi se kjo njohje është dëshmi e përkushtimit ndaj cilësisë, standardeve ndërkombëtare dhe besueshmërisë së institucioneve akademike të vendit. Presidentja në detyrë uroi Agjencinë e Kosovës për Akreditim, universitetet, profesorët dhe studentët, duke theksuar se arsimi mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se njohja zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshmon se kur një shtet investon në dije, kritere dhe integritet, ai fiton autoritet dhe dinjitet.

Sipas Kryeministrit Kurti, përmes kësaj njohjeje Republika e Kosovës po flet gjuhën universale të cilësisë, besueshmërisë dhe dijes. Ai shtoi se kjo arritje është edhe hyrje në një përgjegjësi të madhe: që universitetet tona të prodhojnë mendje të lira, profesionistë të zotë dhe qytetarë që e bëjnë shtetin më të mirë sot e nesër sesa dje.

AKA ka ndarë një mirënjohje për Ambasadën Amerikane në Prishtinë, për përkrahjen institucionale dhe financiare. Mirënjohjen e ka pranuar e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati, e cila e ka uruar AKA-në për njohje nga CHEA në SHBA.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, tha se AKA tashmë ka kapacitete të plota funksionale dhe operative për të zbatuar standardet e cilësisë në përputhje me praktikat më të avancuara evropiane dhe amerikane. Ai theksoi se këto zhvillime krijojnë mundësi të mëdha për studentët, të diplomuarit dhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Në këtë gala mbrëmje, Agjencia e Kosovës për Akreditim ndau mirënjohje për institucionet dhe personalitetet që kanë kontribuar në forcimin e sistemit të sigurimit të cilësisë dhe në arritjen e njohjeve ndërkombëtare të AKA-së, përfshirë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) në kuadër të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Departamentit për Buxhet në Ministrinë e Financave si dhe profesorin Kamal Shahrabi.

Antare e plotë në:

Më Shumë Nga Lajmet e Fundit