Lajmet e fundit

Published On: 4 Qershor, 2026

Delegacioni i AKA-së dhe MASH-it zhvillon vizitë zyrtare në Bruksel

Një delegacion i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Bruksel, ku janë takuar me drejtuesit e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), si dhe institucioneve tjera të Evropës në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Kjo vizitë kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me organizatat kryesore evropiane të arsimit të lartë, shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurimit të cilësisë, si dhe diskutimin e zhvillimeve të fundit në kuadër të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe zbatimit të Standardeve dhe Udhëzimeve Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ESG).

Delegacioni nga Kosova përbëhej nga profesoresha Hasnije Ilazi, Kryetare e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim; Përparim Kryeziu, Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës; Naim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i AKA-së; Klodeta Krasniqi, Shefe e Kabinetit të Ministres së Arsimit dhe Shkencës; Prof. Maja Martinovic, anëtare ndërkombëtare e Bordit të AKA-së; Prof. Mirlinda Batalli, anëtare e Bordit të AKA-së; Shkurte Bajgora, anëtare studente e Bordit të AKA-së; Aqim Emurli, udhëheqës i ekipit të programit SHER; si dhe Douglas Blackstock, ekspert ndërkombëtar i SHER-it.

Gjatë takimeve, delegacioni nga Kosova prezantoi progresin e arritur në reformimin e sistemit të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, me theks të veçantë në avancimin e pavarësisë institucionale dhe financiare të AKA-së, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përputhshmërinë e punës së Agjencisë me standardet evropiane. U theksua se AKA ka kaluar me sukses vlerësimin ndërkombëtar të vitit 2024 dhe është regjistruar në EQAR nga qershori i vitit 2025, si dëshmi e përputhshmërisë me standardet evropiane të sigurimit të cilësisë.

Në kuadër të agjendës zyrtare, delegacioni nga Kosova zhvilloi takim me Aleksandar Šušnjar, Drejtor i EQAR-it, ku u diskutua për përvojën e regjistrimit të AKA-së në EQAR, zhvillimet në sigurimin e cilësisë në Kosovë dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të rekomandimeve evropiane. Delegacioni vlerësoi se regjistrimi në EQAR paraqet një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe një motiv shtesë për institucionet e arsimit të lartë që të vazhdojnë forcimin e kulturës së cilësisë, transparencës dhe llogaridhënies.

Delegacioni u prit gjithashtu nga Zëvendëspresidentja e ENQA-s, Kristin Vinje, dhe Drejtoresha e ENQA-s, Anna Gover, me të cilat u diskutua për praktikat evropiane të sigurimit të cilësisë, përvojën e vlerësimit të jashtëm të AKA-së dhe rëndësinë e zbatimit të Standardeve dhe Udhëzimeve Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. AKA ritheksoi përkushtimin e saj për zbatimin e rekomandimeve të dala nga vlerësimet ndërkombëtare, të cilat tashmë janë përfshirë edhe në planifikimin strategjik të Agjencisë për periudhën e ardhshme.

Takime të veçanta u zhvilluan edhe me Patrick Van Den Bosch, Drejtor i VLUHR-QA, dhe Eva Jaroszewski, Drejtoreshë e AEQES, ku u shkëmbyen përvoja për modelet belge të sigurimit të cilësisë, praktikat e akreditimit, vlerësimin institucional, digjitalizimin e proceseve të vlerësimit dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet agjencive. Këto takime shërbyen për të identifikuar praktika të mira që mund të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të mekanizmave të AKA-së.

Në vazhdim, delegacioni u takua me John Edwards, Sekretar i Përgjithshëm i EURASHE, organizatë evropiane që përfaqëson universitetet e shkencave të aplikuara dhe institucionet e arsimit të lartë me orientim profesional. Në këtë takim u diskutua për rolin e arsimit të aplikuar, rritjen e punësueshmërisë së studentëve, ndërlidhjen e programeve akademike me tregun e punës, bashkëpunimin ndërmjet universiteteve dhe industrisë, si dhe zhvillimin e programeve profesionale dhe duale.

Delegacioni zhvilloi takim edhe me Maria Kelo, Drejtoreshë e EUA-IEP, ku në fokus ishin zhvillimi institucional i universiteteve, ndërkombëtarizimi, aleancat evropiane të universiteteve, transformimi digjital dhe kërkimi shkencor. Përmes këtij takimi, u diskutua për mundësitë e përfshirjes më të madhe të institucioneve të arsimit të lartë nga Kosova në rrjetet dhe iniciativat evropiane.

Në takimin me Louis Brau, Udhëheqës i Sekretariatit të Unionit Evropian të Studentëve (ESU), u diskutua për rolin e studentëve në proceset e sigurimit të cilësisë dhe rëndësinë e përfshirjes së tyre në vendimmarrje, në përputhje me praktikat evropiane. Delegacioni prezantoi rolin e studentëve në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, duke theksuar se studentët janë të përfshirë në mekanizmat institucionalë dhe në proceset e akreditimit, përfshirë edhe përfaqësimin në Bordin e AKA-së dhe angazhimin si ekspertë studentë në vlerësime.

Vizita u realizua në kuadër të programit Sustainable Higher Education and Research in Kosovo – SHER, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin e një sektori të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë, të bazuar në evidencë, të orientuar nga nevojat dhe në përputhje me parimet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë. Programi mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kjo vizitë zyrtare në Bruksel paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit të Kosovës me institucionet evropiane të arsimit të lartë dhe sigurimit të cilësisë. Përmes dialogut me partnerët evropianë, AKA dhe MASH synojnë të avancojnë më tej reformat në arsimin e lartë, të forcojnë besueshmërinë ndërkombëtare të sistemit të akreditimit dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një arsimi të lartë cilësor, transparent dhe të krahasueshëm me praktikat më të mira evropiane.

Antare e plotë në:

Më Shumë Nga Lajmet e Fundit