Lajmet e fundit

Published On: 26 Janar, 2022

Zyra e BE-së në Kosovë: Jemi të impresionuar me punën e Agjencisë së Akreditimit

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, AnnaCarin Platon, ka thënë se është e impresionuar me punën e mirë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në këto dy vitet e fundit.

“Dëshiroj të shfrytëzoj rastin ta përgëzoj Agjencinë për punën e mirë, siç edhe është potencuar në Raportin tonë (Komisionit Evropian) për Kosovën. Sidomos në rrethanat sfiduese të dy viteve të fundit, jam i impresionuar nga arritjet tuaja. E në veçanti duke marrë parasysh ngarkesën e punës që kishit dhe numrin e vogël të stafit”, ka thënë Platon në ceremoninë e prezantimit të aktiviteteve të Agjencisë së Akreditimit për vitin e kaluar dhe planet për këtë vit.

“Shpresoj që ky trend do të vazhdojë dhe përfundimisht edhe ju të arrini synimin tuaj dhe të rifitoni anëtarësimin në dy trupat evropiane të sigurimit të cilësisë (ENQA dhe EQAR). Ky proces në vetvete sjell transformimin shumë të nevojshëm të sektorit të arsimit të lartë, standarde më të larta të cilësisë, raport më të ulët student/mësimdhënës dhe përfundimisht siguron që të diplomuarit të jenë më të përgatitur për tregun e punës shumë konkurrues në Kosovë dhe jashtë saj”, ka thënë kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Mendoj se më shumë se për çdo vend tjetër, arsimi cilësor është i rëndësishëm për Kosovën dhe popullatën e saj shumë të re dhe interesimin kaq të madh për të vazhduar arsimin e lartë. Me rreth 130 000 studentë Kosova pothuajse ka dyfishuar mesataren e BE-së për kokë banori. Është me rëndësi që një numër kaq i madh i të diplomuarve të kenë njohje dhe ato diploma të lehtësojnë gjetjen e vendeve të punës si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj”, ka thënë ajo.

“Është shumë inkurajuese edhe fakti që qeveria aktuale e ka shpallur arsimin si prioritet të saj dhe shpresoj që ky angazhim të konkretizohet përmes rritjes së financimit për arsimin, legjislacionit më të mirë dhe rritjes së fokusit tek cilësia. Kosova nuk ka kohë të humbë dhe nuk duhet të vonojë më shumë nëse dëshiron të shfrytëzojë potencialin e rinisë së saj dhe siç e dini të gjithë, ekziston një lidhje e qartë ndërmjet asaj se sa një vend investon në arsim dhe zhvillimit të tij socio-ekonomik”, ka shtuar AnnaCarin Platon.

Sipas saj, ofruesit e arsimit të lartë gjithashtu duhet të kuptojnë nevojën për t’u reformuar dhe përshtatur me ekonominë dhe teknologjinë botërore gjithnjë në ndryshim dhe për këtë arsye duhet të angazhohen në një diskutim konstruktiv me AKA.

“Nga ana jonë, ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim Agjencinë. Arsimi është prioriteti ynë. Në agjendën tonë të politikave, arsimi është pjesë e dokumenteve tona kryesore. Arsimi është një nga tre shtyllat e Agjendës së Reformës Evropiane dhe së bashku me nxitjen e punësimit është një element shumë i rëndësishëm i programit të reformës ekonomike”, tha Platon.

“Sa i përket ligjit për Agjencinë e Akreditimit, ne i kemi dhënë ministrisë komentet tona dhe ato janë përfshirë në draftin final i cili është dërguar në kuvend. Ne do të ndjekim nga afër diskutimet në kuvend dhe me kënaqësi fo të ofrojmë ekspertizë të mëtejshme në rast se është e nevojshme”, shtoi ajo.

“Që nga viti 2007 BE-ja ka investuar mbi 34 milionë euro në arsim dhe më shumë se gjysma e kësaj shume është investuar në 4 vitet e fundit. Ka plane për të rritur këto fonde, mirëpo ne dëshirojmë të shohim edhe më shumë lidership nga ana e qeverisë në mënyrë që përpjekjet tona të përbashkëta të tregojnë rezultate”, ka thënë në fund të fjalës së saj, ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Antare e plotë në:

Më Shumë Nga Lajmet e Fundit