Lajmet e fundit

Published On: 27 Mars, 2026

Përvojat e Kosovës në sigurimin e cilësisë prezantohen në konferencën rajonale në Shkup

Me ftesë të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Bankës Botërore, nën patronatin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë së Veriut, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, e mbajtur më 26–27 mars 2026 në Shkup.

Konferenca, me temën “Ndërlidhja e të ardhmes: Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore”, mblodhi përfaqësues të lartë institucionalë, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendimmarrës nga rajoni dhe më gjerë, me fokus në ndërkombëtarizimin, mobilitetin akademik, sigurimin e cilësisë, qeverisjen dhe financimin në arsimin e lartë.

Në prezantimin e tij, Gashi ka ndarë përvojat e suksesshme të Kosovës në avancimin e sistemit të sigurimit të cilësisë dhe në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, duke theksuar se Kosova ka krijuar një konsensus nacional për cilësinë. Ai ka shtuar se kjo qasje ka rezultuar në zbatimin e Standardeve dhe Udhëzimeve Evropiane për Sigurimin e Cilësisë (ESG) dhe regjistrimin e AKA-së në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), si agjencia e vetme nga Ballkani Perëndimor.

Drejtori i AKA-së ka theksuar se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për rritjen e cilësisë së programeve të studimit dhe ka rekomanduar që standardet ESG të jenë bazë për garantimin e cilësisë në sistemet e arsimit të lartë.

Gashi gjithashtu ka nënvizuar se reformat e thella në Kosovë dhe aplikimi i standardeve të larta të cilësisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e reputacionit dhe rangimit ndërkombëtar të institucioneve të arsimit të lartë nga Kosova.

Ai ka shtuar se, përmes ofrimit të programeve cilësore të studimit, Kosova është bërë gjithnjë e më atraktive për kompani private që ofrojnë shërbime për tregjet evropiane dhe globale.

Në kuadër të agjendës së konferencës, diskutimet u fokusuan në çështje kyçe si mobiliteti dhe qarkullimi i talenteve, partneritetet për zhvillimin e shkathtësive dhe inovacionit, si dhe roli i sigurimit të cilësisë, qeverisjes dhe mekanizmave të financimit në funksion të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Në kuadër të vizitës në Maqedoninë e Veriut, Drejtori Gashi ka zhvilluar takime edhe me Zëvendëspresidentin e Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Patrick Van den Bosch, si dhe me homologen nga Maqedonia e Veriut, Hristina Serafimovska, me të cilët ka diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në funksion të forcimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Antare e plotë në:

Më Shumë Nga Lajmet e Fundit