Lajmet e fundit

Published On: 16 Shkurt, 2026

Kosova po bashkëpunon me Malajzinë dhe Singaporin për cilësinë në arsimin e lartë

Me ftesë të Kryetarit të Agjencisë së Kualifikimeve të Malajzisë (MQA), Zaini Ujang, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, profesori Islam Hasani, dhe drejtori i administratës në AKA, Besim Jonuzaj, kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Kuala Lumpur të Malajzisë dhe në Singapor, ku kanë biseduar për bashkëpunimin në fushën e cilësisë në arsimin e lartë.

Gjatë vizitës në Malajzi, të dy delegacionet janë dakorduar për arritjen e një marrëveshjeje për njohjen reciproke të akreditimeve në shtetet respektive, shkëmbimin e studentëve dhe ekspertëve të akreditimit.

Drejtori Gashi e ka informuar homologun e Malajzisë për anëtarësimin e AKA-së në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), si agjencia e vetme nga Ballkani Perëndimor, si dhe për avancimin e procesit për t’u bërë autoritet i njohur nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA, gjithmonë duke u bazuar në progresin e arritur në krijimin e mekanizmave për sigurimin e cilësisë.

Kryetari Ujang e ka përgëzuar Kosovën për këto arritje në ndërkombëtarizimin e sistemit të arsimit dhe ka ofruar bashkëpunim të plotë në fushën e njohjes së akreditimeve.

Gjatë vizitës zyrtare në Malajzi, delegacioni i Kosovës ka vizituar edhe Universitetin për Teknologji në Malajzi.

Në takim me drejtorin e Qendrës CASIS, brenda këtij universiteti, delegacioni i Kosovës është pritur nga drejtori Mohamed Hilmi Ramli. Drejtori Gashi e ka falënderuar Qendrën CASIS për bashkëpunimin e frytshëm me FSI-në në krijimin e kuadrove në fushën e studimeve islame. Pjesë e këtij bashkëpunimi është ofrimi i programit të përbashkët CASIS dhe FSI në nivelin e doktoratës, në të cilin tashmë është regjistruar grupi i parë i studentëve nga Kosova.

Malajzia është një nga vendet më të njohura në Lindjen e Largët, në të cilin bashkëjetesa e religjioneve të ndryshme, luftimi i radikalizmit dhe zhvillimi ekonomik përbëjnë një model të rëndësishëm.

Drejtori i Agjencisë, z. Gashi, dhe dekani i FSI-së, profesori Hasani, kanë thënë se janë duke punuar që FSI të përgatisë kuadrot e veta edhe në programet e doktoratës, në mënyrë që të rritet cilësia në këto programe, por edhe që FSI të ketë kuadrot e veta, të cilat do t’i shërbejnë komunitetit islam në Kosovë në ruajtjen e vlerave tradicionale kombëtare dhe fetare, si dhe në luftimin e ndikimit të rrymave ekstremiste në shoqëri.

Gjatë takimeve me stafin akademik dhe studentët, Drejtori Gashi ka mbajtur një ligjëratë për sistemin e arsimit të lartë dhe sigurimin e cilësisë në Kosovë, ndërsa dekani Hasani ka ligjëruar për historinë e edukimit islam në Kosovë dhe zhvillimin institucional të FSI-së.

Një vizitë e veçantë u realizua edhe në Syed Muhammad Naquib al-Attas Library (ISTAC), ku delegacioni u prit nga drejtuesit e bibliotekës. Delegacioni u njoh nga afër me praktikat e avancuara të menaxhimit dhe konservimit të fondit bibliotekar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së dijes për brezat e ardhshëm dhe shkëmbimin e përvojave ndërinstitucionale.

Gjatë qëndrimit në Kuala Lumpur, delegacioni u prit edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Malajzi nga Ambasadori Rexhep Bajraktari, me të cilin u diskutua për rolin e diplomacisë në mbështetjen e bashkëpunimit arsimor dhe akademik ndërmjet dy vendeve.

Po ashtu, delegacioni realizoi takim në Universiti Malaya, universiteti më i vjetër dhe ndër më të mirët në Malajzi për nga rangimi ndërkombëtar. Delegacioni u prit nga Dekani i Akademisë së Studimeve Islame, profesori Mohd Fauzi bin Hamat, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Në këtë takim u diskutua për zhvillimin institucional, menaxhimin e programeve akademike, bashkëpunimin në kërkimin shkencor dhe mundësinë e zgjerimit të partneriteteve ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Malajzi.

Në kuadër të vizitës rajonale, delegacioni i AKA-së qëndroi edhe në Singapor, ku zhvilloi takime me drejtues të qendrave akademike, me fokus në modelet e menaxhimit të institucioneve private të arsimit të lartë, standardet e cilësisë dhe ndërkombëtarizimin e programeve të studimit.

Takimet e delegacionit të Kosovës në Malajzi dhe Singapor janë mbuluar me publikime në faqet e internetit dhe rrjetet sociale të institucioneve nikoqire.

Këto vizita shënojnë një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, duke e pozicionuar AKA-në si një partner serioz në rrjetin global të agjencive të akreditimit dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi akademik ndërmjet Evropës, Amerikës dhe Azisë.

Antare e plotë në:

Më Shumë Nga Lajmet e Fundit

KShC mbajti mbledhjen e rregullt të 144-të

16 Janar, 2026|

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka mbajtur më 15 janar 2026 mbledhjen e rregullt të 144-të me radhë, në të cilën janë shqyrtuar disa pika të rëndësishme të [...]