Lajmet e fundit

Published On: 12 Mars, 2026

Adresimi i Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së para Bordit të CHEA-së në Uashington

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, në adresimin e tij para Bordit të Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA, theksoi se Republika e Kosovës ka ndërtuar një sistem modern dhe të pavarur të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ai nënvizoi se Kosova, si një nga vendet më proamerikane në botë, e sheh bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara si një partneritet strategjik për zhvillimin e arsimit të lartë dhe se njohja e AKA-së nga CHEA do të forconte më tej lidhjet akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe atyre amerikane.

Fjalimi i plotë i Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, para Bordit të CHEA
Uashington, SHBA, 09.03.2026

I nderuari President i Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA,

Të nderuar zëvendëspresidentë dhe anëtarë të Bordit,

I nderuari Kryesues i Komitetit të Pranimit dhe të nderuar anëtarë,
Të nderuar panel vlerësues,

Zonja dhe zotërinj,

Unë jam Naim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, me akronimin AKA, institucioni i vetëm në Republikën e Kosovës që merret me akreditimin, riakreditimin dhe validimin e akreditimeve ndërkombëtare në vendin tonë. Unë jam në këtë pozitë qe 6 vite dhe jam në mandatin e dytë.

Sot jam i shoqëruar nga znj. Fjollë Ajeti, zyrtare e lartë në Agjenci dhe koordinatore jonë për aplikimin në CHEA.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj Zëvendëspresidenten e CHEA, Loretta Waldron, për bashkëpunimin në plotësimin e aplikacionit tonë, si dhe ekipin e ekspertëve vlerësues, dr. Malina Monaco dhe Dr. Lucas Kavlie, për një qasje shumë profesionale dhe përkrahëse.

Është një nder dhe privilegj për mua që të prezantoj para jush të arriturat e Republikës së Kosovës, shtetit me 1.6 milionë banorë, në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Para se të filloj të flas për aplikimin tonë në CHEA, ju lutem më lejoni që shumë shkurtimisht të flas për lidhjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Sipas Gallup World Poll, Kosova është shteti më proamerikan në botë, për shkak të kontributit të SHBA-së për lirinë tonë në vitin 1999 dhe për pavarësinë e shtetit tonë më 2008. Rrugët dhe sheshet kryesore të Kosovës mbajnë emrat e ish-presidentëve amerikanë dhe personaliteteve të shquara nga republikanët dhe demokratët në SHBA.

Në Kosovë ndodhet Kampi Bondsteel, një nga bazat më të mëdha ushtarake amerikane në Evropë, ndërsa miqësia jonë me Amerikën në të gjitha fushat e jetës është vlerë e kombit tonë.

Bashkëpunimi ynë me SHBA-në është prioritet i Qeverisë së Kosovës, prandaj me përkrahjen e saj ne kemi punuar intensivisht për plotësimin e standardeve për të qenë autoritet i njohur nga CHEA.

Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë përbëhet prej 21 institucioneve të arsimit të lartë; prej tyre, 7 janë universitete publike, ndërsa të tjerat janë kolegje. Në sistemin tonë kemi rreth 75 mijë studentë, ndërsa sipas Eurostat jemi shteti me përqindjen më të lartë të të rinjve dhe me moshë mesatare 34 vjeç. Duke qenë një popullatë e re, që flet masivisht anglisht dhe gjermanisht, edhe nevojat për arsim cilësor janë më të larta.

Republika e Kosovës ka krijuar një konsensus nacional për cilësinë në arsimin e lartë. Ligjin tonë për AKA-në e kanë votuar partitë e koalicionit qeverisës dhe opozita. Qeveria jonë ka krijuar linjë të veçantë buxhetore në Thesarin e Shtetit, duke garantuar vetëqëndrueshmëri dhe pavarësi të plotë institucionale dhe financiare. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ofruar hapësira për zyra moderne të agjencisë dhe staf të mjaftueshëm për nevojat e saj, të cilat i kanë vizituar edhe vlerësuesit e CHEA gjatë qëndrimit në Kosovë.

Ne jemi ndër shtetet e rralla në Evropë që kemi miratuar ligj të veçantë për akreditimin dhe, pavarësisht ndryshimit të pushteteve, agjencia jonë i ka mekanizmat e funksionimit si institucion i pavarur.

Kur jam zgjedhur drejtor i AKA-së nga Qeveria jonë, në fillim të vitit 2020, me propozimin e një paneli nga Mbretëria e Bashkuar, kam gjetur në zyra vetëm 5 staf. Sot jemi 26 staf, me profile shumë të larta, të strukturuar në dy departamente dhe gjashtë divizione.

Agjencia e Kosovës për Akreditim përbëhet nga tri shtylla:

I – Bordi i Agjencisë, si institucion vendimmarrës, përbëhet nga 9 anëtarë me të drejtë vote, prej tyre tre ndërkombëtarë dhe një student, si dhe dy përfaqësues të tjerë nga industria pa të drejtë vote, që gjithsej bëjnë 11.

II – Shtylla e dytë është administrata e AKA-së, të cilën unë e drejtoj;
III – Shtylla e tretë është Komisioni i Ankesave, i përbërë nga 5 anëtarë, 3 prej tyre juristë eminentë në Kosovë dhe dy përfaqësues nga akademia.

Të nderuar anëtarë të Bordit,

Në gjashtë vitet e fundit, AKA ka krijuar bazën ligjore dhe rregullative në harmoni të plotë me Standardet dhe Udhëzuesit Evropianë për Sigurimin e Cilësisë (ESG).

Kosova është shteti i vetëm në Evropë që të gjithë ekspertët e akreditimit i ka ndërkombëtarë, për shkak të shmangies së konfliktit të interesit, kur dihet se ne jemi një shtet i vogël. Lista jonë me 254 ekspertë ndërkombëtarë është e publikuar në ueb-faqen tonë.

Meqenëse Bordi është i përbërë edhe nga ndërkombëtarë dhe të gjithë ekspertët e akreditimit janë ndërkombëtarë, atëherë gjuha e punës në AKA është anglishtja, ndërsa të gjitha dokumentet tona janë publike në ueb-faqen e agjencisë në anglisht dhe shqip.

Si rezultat i zbatimit të standardeve të larta në sistemin e arsimit, nga korriku i vitit 2025 ne jemi regjistruar si anëtarë me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Ne jemi shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që jemi të regjistruar në EQAR, për shkak se jemi plotësisht në përputhje me standardet ESG. Regjistrimi në EQAR ka krijuar mundësi të mëdha për universitetet dhe studentët tanë, ndërsa diplomat tona janë të njohura gjerësisht në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Të nderuar anëtarë të Bordit,

Agjencia e Kosovës për Akreditim është institucion shumë i ndërkombëtarizuar. Përveç EQAR, ne jemi anëtarë me të drejta të plota në Rrjetin Ndërkombëtar të Agjencive për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (INQAAHE), anëtarë me të drejta të plota në CENQA, anëtarë me të drejta të plota në Global Academic Integrity Network (GAIN), Affiliate member në ENQA, etj.

Ngritja e mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe ndërkombëtarizimi i sistemit të arsimit janë dy nga katër prioritetet kryesore të Strategjisë së AKA-së 2026–2030, të cilën e ka miratuar Bordi ynë në dhjetor të vitit 2025. Këta mekanizma kanë ndikuar në ngritjen rapide të rankimit të universiteteve tona në arenën ndërkombëtare. Kjo tregon se reformat tona dhe ngritja e standardeve të cilësisë kanë dhënë efekte të matshme në cilësinë e programeve të studimit, jo vetëm brenda kufijve të shtetit tonë, por edhe në arenën ndërkombëtare.

AKA ka investuar shumë në digjitalizimin e shërbimeve. Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e ka përkrahur AKA-në me ekspertizë profesionale për digjitalizimin e shërbimeve. Ne jemi ndër agjencitë më të digjitalizuara në Evropë, pasi mbi 98% e shërbimeve të akreditimit ofrohen përmes sistemit tonë të digjitalizuar. Aktualisht, ne kemi iniciuar edhe përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në disa aspekte të procesit të akreditimit dhe po marrim modelet më të suksesshme në Evropë dhe Amerikë.

Përveç Evropës, ne i kemi kushtuar rëndësi edhe bashkëpunimit me agjenci homologe nga Shtetet e Bashkuara. Stafi i AKA-së është i akredituar për të marrë pjesë në procese të vlerësimit në SHBA, ndërsa ekspertët amerikanë prej vitesh angazhohen si ekspertë të jashtëm në procese të akreditimit në Kosovë.

I gjithë stafi i AKA-së, Bordi ynë dhe Komisioni i Ankesave kanë punuar intensivisht për zbatimin e të gjitha kritereve për t’u bërë autoritet i njohur nga CHEA.

Sipas Ligjit për AKA-në, në Kosovë njihen të gjitha akreditimet që janë të njohura nga CHEA.

Të qenit autoritet i njohur nga CHEA do të ishte një arritje shumë e madhe për perspektivën e sistemit të arsimit në Kosovë, do të nxiste bashkëpunimin ndërmjet universiteteve tona me ato amerikane dhe do të hapte mundësi të mëdha të shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve.

Aktualisht në Kosovë operojnë dy universitete amerikane, Rochester Institute of Technology dhe Arizona State University. Ne jemi të interesuar që ta zgjerojmë këtë bashkëpunim në interes të bartjes së dijeve nga SHBA-të në Kosovë.

Për fund, të nderuar anëtarë të Bordit,

Jam i gatshëm dhe shumë i hapur para jush që të ofroj të gjitha argumentet për punën e madhe që ka bërë AKA dhe Kosova për të zbatuar standardet e CHEA.

Jam shumë i hapur për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja dhe për të marrë rekomandimet tuaja të vlefshme.

Ju faleminderit për mundësinë që të flas në këtë auditorium të respektuar.

 

Antare e plotë në:

Më Shumë Nga Lajmet e Fundit