Lajmet e fundit

Published On: 24 Qershor, 2026

AKA organizoi dialog strategjik për arsimin e lartë me Aleancën Universitare Evropiane

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), më 22 qershor 2026, mirëpriti në një takim palët e interesit, duke mbledhur përfaqësues të Aleancës Universitare Evropiane EUDRES, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), si dhe institucioneve të arsimit të lartë të Kosovës dhe rajonit.

Takimi u përqendrua në rolin e universiteteve të shkencave të aplikuara në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë, ndërkombëtarizimin, sigurimin e cilësisë, bashkëpunimin me industrinë dhe mundësitë për përfshirje në aleancat universitare evropiane.

Pjesëmarrësit diskutuan zhvillimet aktuale në arsimin e lartë dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve evropianë.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi, dhe Drejtori i Departamentit për Vlerësim dhe Akreditim, Arianit Krasniqi, prezantuan sistemin e sigurimit të cilësisë në Kosovë dhe theksuan përpjekjet e vazhdueshme të Agjencisë për harmonizimin e standardeve të cilësisë në arsimin e lartë me praktikat evropiane.

Përfaqësuesit e Aleancës EUDRES prezantuan përvoja dhe praktika të mira nga universitetet partnere evropiane në fushat e mësimdhënies dhe të nxënit, angazhimit rajonal, sipërmarrjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme dialogu ndërmjet politikëbërësve, institucioneve të arsimit të lartë, profesionistëve të sigurimit të cilësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për avancimin e cilësisë dhe dimensionit ndërkombëtar të arsimit të lartë në Kosovë.

Antare e plotë në:

Më Shumë Nga Lajmet e Fundit