Progres i jashtëzakonshëm në sigurimin e cilësisë në Kosovë dhe sfidat e ardhshme
Përfundimet e nxjerra nga Konferenca Ndërkombëtare e AKA-së 2023 për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë
Të mbledhura dhe të shkruara nga Klemen Miklavič, Aqim Emurli dhe Arta Basha-Jakupi
Prishtinë, 26.09.2023
- Hyrje
Kosova është vend i ri evropian sui generis. Anketat dhe atmosfera e përgjithshme në popullatën e saj tregon qartë afinitetin me vlerat dhe normat evropiane. Identiteti i fortë evropian i bën banorët dhe shoqërinë e Kosovës ndër komunitetet më të orientuara drejt BE-së në mbarë Evropën. Prandaj, ekziston një legjitimitet i fortë për miratimin e zgjidhjeve normative evropiane në të gjithë sektorët, përfshirë arsimin e lartë. Sigurimi i cilësisë (SC) në arsimin e lartë është një nga mekanizmat më të fuqishëm të politikave që ka hyrë në legjislacionin kombëtar nëpërmjet nismave ndërkombëtare në kuadër të procesit të Bolonjës. Kosova nuk bën përjashtim në këtë, edhe pse ende nuk është shtet anëtar.
Gjatë një konference me pjesëmarrje të lartë në temën e SC-së (rreth 180 pjesëmarrës) u zhvillua një diskutim shumë aktual mbi të tashmen dhe të ardhmen e arsimit të lartë dhe cilësinë e tij me pjesëmarrjen dhe kontributin e të ftuarve të shquar ndërkombëtarë dhe vendas, duke përfshirë Kryeministrin dhe Ministrin (Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit), përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane për cilësinë në arsimin e lartë (të udhëhequr nga Kryetari i RESC-së, ish-Drejtori i RESC-së dhe Zëvendës Presidenti i ShESC-së), rektorë dhe stafi i lartë drejtues i institucioneve të arsimit të lartë, ambasadorët në Republikën e Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, stafi akademik, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, donatorë, ekspertë dhe vlerësues ndërkombëtarë dhe mysafirë nga vendet fqinje. Konferenca u nda në pesë pjesë: Pjesa hyrëse iu kushtua fjalimeve institucionale të përfaqësuesve të lartë të shtetit dhe të ftuarve të veçantë, pasuar nga reflektimi mbi zhvillimin e AKA-së dhe përfundimisht nga tri panele tematike që adresuan SC-në në arsimin e lartë nga perspektiv ndërkombëtare, rajonale dhe këndvështrimi i palëve të interesit[1].
- Arsimi si institucion konstituiv i shoqërisë në Kosovë
Folësi kryesor, kryeministri z. Albin Kurti përkujtoi se sa qendror ka qenë dhe është Universiteti i Prishtinës për shtetësinë e Kosovës. Si institucioni kyç i shoqërisë, ai nxori elitën intelektuale dhe mundësoi procesin e emancipimit shoqëror gjatë viteve vendimtare të historisë sonë. Roli emancipues i arsimit të lartë ka vazhduar edhe pas pavarësisë. Roli qendror social dhe kulturor i universiteteve nuk është unik vetëm në Kosovë. Arsimi i Lartë ka pasur rol kyç në ndërtimin e qytetërimit evropian. Z. Stephan Lauwick, presidenti i RESC-së shtoi perspektivën e tij ndërkombëtare në kuptimin më të gjerë të arsimit të lartë: Ai foli për vlerat dhe kulturën. Roli i SC është qendror në nxitjen e arsimit të lartë kuptimplotë për rajonin.
Në fjalimin e saj inauguruese, znj. Hasnije Iliazi, kryetarja e Bordit të AKA-së (Këshilli Shtetëror për Cilësi) e cilësoi arsimin e lartë si institucion konstituiv për ndërtimin e shoqërisë dhe shtetit. Krijimi i shoqërisë dhe shtetit kërkon cilësi të lartë të arsimit të lartë, prandaj sigurimi i cilësisë është institucioni kyç për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
Megjithatë, kohët po ndryshojnë dhe sfidat për Kosovën janë gjithnjë e më shumë të natyrës ekonomike. Ministrja Arbërie Nagavci foli për rëndësinë e mekanizmave të duhur rregullues në arsimin e lartë. Sektori përjetoi një transformim të shpejtë në të kaluarën e afërt. Sigurimi i cilësisë është një proces thelbësor në një sektor kaq dinamik dhe është qenësor në përgatitjen e një popullsie jashtëzakonisht të madhe rinore për shoqërinë dhe tregun e punës.
- Perspektiva ndërkombëtare
Roli drejtues i organizatave ndërkombëtare
Akterët e nivelit ndërkombëtar në fushën e SC-së në arsimin e lartë kanë ndikim të madh në zhvillimin e sistemeve të SC-së në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një përgjegjësi e madhe për të ardhmen e rajonit. Standardet dhe Udhëzimet Evropiane (ESG) përbëjnë një shtytës të fuqishëm të ndryshimit dhe zhvillimit të procedurave dhe praktikave të SC-së, siç u dëshmua në detaje nga Sandra Bezjak dhe Franci Demšar, drejtorë përkatës të agjencive kroate dhe sllovene të SC-së. Vetëdijen për rolin e tyre e shprehën edhe të ftuarit ndërkombëtarë nga RESC-ja dhe ShESC-ja. Në të dyja rastet ndihma dhe udhëzimi do të jetë me vlerë të lartë dhe, ndër të tjera, u përmend se sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë është i një rëndësie të madhe, duke siguruar që studentët të marrin arsim cilësor që i plotëson nevojat e industrisë dhe shoqërisë, si dhe siguron që programet dhe shërbimet e studimit të ofruara nga IAL-të i plotësojnë standardet e përcaktuara, janë të qëndrueshme dhe përmirësohen vazhdimisht – duke promovuar përgjegjshmërinë, transparencën dhe përsosmërinë arsimore në të gjitha nivelet (mësimdhënie, hulumtime dhe misionin social). Pjesëmarrja në forumet evropiane për çështjet arsimore inkurajon proceset e brendshme të modernizimit dhe jo vetëm.
Megjithatë, në rastin konkret të Kosovës, anëtarësimi në strukturat ndërkombëtare mund t’i nënshtrohet forcave të jashtme politike. Mbetet të shihet nëse organizatat ndërkombëtare që u krijuan me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe evropianizimit të arsimit të lartë do t’i japin përparësi zhvillimit të arsimit të lartë cilësor në vend të lojës së pushtetit politik dhe strategjik mes shteteve të rajonit dhe aleatëve të tyre globalë.
Në anën tjetër, Kosova ka bërë hapa seriozë përpara në drejtim të përmbushjes së pritshmërive të komunitetit evropian të arsimit të lartë. Sipas znj. Nagavci kjo shihet veçanërisht në respektimin ESG-së dhe në pavarësinë që i është dhënë agjencisë. Këto janë ndoshta aspektet më të spikatura për një agjenci të SC-së në mënyrë që të kualifikohet si agjenci e besueshme nga Zona Evropiane e Arsimit të Lartë (EHEA). Progresi u vu re edhe nga mysafirët ndërkombëtarë, ndër të cilët Shkëlqesia e Tij Z. Georg Schnitzer, ambasadori i Austrisë në Kosovë.
- Perspektiva vendore
Pavarësia e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)
Në nivelin vendor, puna duhet të vazhdojë me ritmin mbresëlënës të viteve të fundit. Pavarësia e AAK-së ka qenë në qendër të debatit publik. Humbja e statusit të anëtarësimit në ShESC dhe çregjistrimi nga RESC-ja patën jehonë të gjerë në shoqërinë dhe strukturat qeverisëse të një vendi që është i vendosur të bëhet anëtar i plotë i integrimit evropian. Pavarësia mbështetet në kushte më elementare. Z. Kurti përmendi tri thelbësoret: (e para) pavarësia institucionale e cila i është dhënë AKA-së me ligjin e sapomiratuar përmes qeverisjes, strukturave organizative dhe procedurave të duhura, (e dyta) pavarësia financiare dhe ndonjëherë e anashkaluar, (e treta) parakushti – kapaciteti profesional i agjencisë. Drejtori i AKA-së Naim Gashi konfirmoi se resurset e ndara mundësojnë që stafi të rritet nga 11 në 17 deri në fund të vitit. Është thelbësore që ky trend të vazhdojë edhe në vitet në vijim dhe që objektet e reja të mundësojnë vazhdimin e progresit të konsiderueshëm të AAK-së.
Arsimi i lartë për shoqëri gjithëpërfshirëse dhe dialog
Tri prioritetet e ardhshme të politikës së sigurimit të cilësisë në Kosovë, sipas znj. Iliazi, janë a) ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë dhe zbatimi i standardeve përkatëse; b) dialogu ndërmjet të gjitha grupeve shoqërore dhe c) bashkëpunimi rajonal për zbatimin e ESG-së dhe njohja e kualifikimeve dhe në këtë mënyrë rritja e lëvizshmërisë së studentëve dhe lëvizjes së lirë të të rinjve. T’i jepet prioritet arsimit të lartë do të thotë të trajtohet përqindja relativisht e lartë e të rinjve që do ta formësojnë të ardhmen e vendit. Këto fjalë i plotësoi edhe z. Enis Kervan, deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili solli në diskutim shoqërinë shumëngjyrëshe kosovare me shumë komunitete që banojnë në të. Politikat duhet t’i përfshijnë të gjitha këto komunitete në mënyrë që të rinjtë të marrin pjesë në ndërtimin e një shoqërie të begatë.
Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit
- Milan Pol, ekspert i vlerësimit me përvojë në institucionet dhe programet e arsimit të lartë në Kosovë raportoi për një përmirësim të dukshëm të arsimit të lartë në përgjithësi. Ai theksoi entuziazmin e madh të stafit akademik dhe veçanërisht stafit të AKA-së për të çuar përpara rritjen e transparencës dhe integritetit të procedurave të AKA-së që është gjithashtu njëra nga prioritetet. Z. Gashi dha shembullin e pranisë së përhershme të shoqërisë civile në takimet vendimmarrëse si një nga hapat madhorë në avancimin e standardeve të transparencës, llogaridhënies dhe qasjes së publikut në procesin e SC-së në arsimin e lartë.
Ekzistojnë edhe sfida të integritetit në arsimin e lartë që shkojnë përtej mundësive të AKA-së. Në një masë të madhe ato rrjedhin nga zgjerimi i sektorit dhe rritja e shpejtë e numrit të studentëve të regjistruar. Prandaj, ekziston nevoja për rregulla më të rrepta në lidhje me integritetin akademik, veçanërisht në hulumtimet shkencore dhe kualifikimet e doktoratës. Një ambicie e mirëseardhur e propozuar nga ministrja Nagavci është që të gjitha tezat e doktoratës të publikohen dhe të jenë në dispozicion të publikut.
- Sfidat e ardhshme
Kosova si pjesë e ZEAL-së
Gjatë diskutimin u ngritën disa sfida të dukshme që do ta mbajnë të zënë komunitetin kosovar të arsimit të lartë dhe qeverinë në vitet në vijim. Prioriteti kryesor mbetet përpjekja për ta njohur AKA-në si anëtare të ShESC-së dhe për ta bërë rrugën e saj drejt RESC-së. Qëllimi kryesor është që Kosova të bëhet anëtare e plotë e ZEAL-së dhe procesit të Bolonjës. Nga inputet dhe diskutimet, ishte e qartë se Kosova është ndoshta më e përgatitur se shumë anëtarë të plotë të ZEAL-së, por situata shqetësuese politike është ajo që krijon pengesa për anëtarësimin e nevojshme në tryezën e komunitetit evropian të arsimit të lartë.
Bashkëpunimi rajonal në SC dhe njohja e kualifikimeve
Çështja e niveleve të pabarabarta të zhvillimit të SC-së në rajon bëhet gjithnjë e më e dukshme. Këtë e vuri re edhe z. Lauwick nga perspektiva e tij evropiane. Të diplomuarit nga institucionet e arsimit të lartë të vendeve fqinje kërkojnë vende pune dhe vazhdimin e studimeve në Kosovë. Disa institucione kosovare të arsimit të lartë punësojnë doktorantë të diplomuar nga rajoni si staf akademik. Kjo praktikë sugjeron nevojën për bashkëpunim më të ngushtë si në SC ashtu edhe në njohjen e kualifikimeve për të shmangur mosbesimin apo edhe abuzimet e mundshme. Znj. Kumrije Gagica nga NARIC Kosova prezantoi një marrëveshje të mirëpritur rajonale të Ballkanit Perëndimor për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë. Për momentin marrëveshja kufizohet në sektorin publik, që e përjashton një pjesë të madhe të institucioneve të arsimit të lartë. Mbetet shumë për të bërë për të sjellë përfundimisht koherencë dhe besim në cilësinë e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Paqja e qëndrueshme ndërtohet edhe me “urat” që i krijojnë të rinjtë gjatë periudhës së studimit, prandaj të rinjtë duhet të kenë mundësi për lëvizshmëri studimore dhe njohje të drejtë të arritjeve të tyre.
Palët e interesit në sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë
Njëra prej fazave të ardhshme të zhvillimit të sigurimit të cilësisë së arsimit të lartë kosovar do të jetë përfshirja e palëve kryesore të interesit. Studentët tashmë janë përfshirë deri diku, por me ligjin e ri për AKA-në, përfaqësimi i organizuar i studentëve do të ketë të drejtë vote në KKC, pra një rol më të madh në vendimet për akreditim. Në njërën prej paneleve, edhe përfaqësuesi nga radhët e punëdhënësve tregoi se mund të artikulohen në lidhje me arsimin e lartë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në procesin e SC-së. Përfshirja e palëve të interesit në formësimin e arsimit të lartë modern evropian ka qenë shumë e rëndësishme në procesin e Bolonjës. Kjo u shtjellua gjerësisht edhe në prezantimin e znj. Kristina Ghituilica, nënkryetare e ShESC-së. Ajo përkujtoi se ESG-të janë krijuar nga organizatat përfaqësuese të palëve të interesit. Në fund, Z. Colin Tück, ish-Drejtori i RESC-së prezantoi në konferencë një pasqyrë të përfshirjes dhe arritjeve të palëve të interesit në arsimin e lartë.
Folësit në konferencë (në radhë të paraqitjes): Znj. Hasnije Ilazi, Kryetare e Bordit të AKA-së; Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës; Znj. Arbërie Nagavci, Ministre, MASHTI; Z. Enis Kervan, deputet i Kuvendit të Kosovës, Komisioni për Arsim; Z. Georg Schnetzer, Shkëlqesia e Tij Ambasadori i Austrisë në Kosovë; Z. Naim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i AKA-së; Z. Milan Pol, Universiteti Masaryk i Republikës Çeke, ekspert i vlerësimit të AKA-së; Z. Stephane Lauwick, RESC, Kryetar; Znj. Kristina Ghitulica, ShESC, Zëvendës Kryetare; Z. Iring Wasser, Drejtor Ekzekutiv i ASIIN (Gjermani); Z. Franci Demsar, SQAA (Slloveni), Drejtor; Znj. Sandra Bezjak, AZVAO (Kroaci); Znj. Kumrije Gagica, Drejtoreshë e NARIC Kosova; Z. Qerim Qerimi, Universiteti i Prishtinës, Rektor; Znj. Diellza Ibrahimi, Unioni i Studentëve të Kolegjit AAB; Z. Mergim Cahani, Gjiarafa, Drejtor Ekzekutiv; Z. Colin Tück, Drejtor i RESC deri në vitin 2023. Moderatorët dhe Raportuesi i Përgjithshëm i konferencës Aqim Emurli (Moderator i panelit 1 për perspektivën ndërkombëtare) Klemen Miklavič (Moderator i panelit 2 për perspektivën rajon dhe Raportues i përgjithshëm i konferencës) Arta Basha – Jakupi (Moderatore e panelit 3 për perspektivën e palëve të interesit) |
[1] Ky artikull synon të jetë reflektim për përmbajtjen dhe diskutimet e konferencës, prandaj nuk e ndjek strukturën e konferencës.
Antare e plotë në:
Më Shumë Nga Lajmet e Fundit
Konferenca Ndërkombëtare 2024
Agjenda Prezentimet Aleksandra Zhivkovikj - Policy and Project officer, EQAR Fotot Photos
Agjencia e Akreditimit po mban Konferencën vjetore ndërkombëtare për cilësinë në arsimin e lartë
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), e ka organizuar të martën më 24.09.2024 Konferencën Ndërkombëtare me titull: "Drejt Përsosmërisë: “Harmonizimi i politikave të sigurimit të cilësisë me strategjinë institucionale dhe angazhimin e palëve të interesit“, [...]
Agjencia e Akreditimit po vlerëson katër programe të doktoratës në Universitetin e Prishtinës
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) gjatë kësaj jave po vlerëson katër programe të doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Në proces të vlerësimit janë angazhuar një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, të cilët vijnë [...]
Këshilli Shtetëror i Cilësisë shqyrtoi raportet e ekspertëve ndërkombëtarë
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në mbledhjen e mbajtur më 23.08.2023 i ka shqyrtuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe ka vendosur lidhur me to. Shqyrtimi i raporteve të [...]
Këshilli Shtetëror i Cilësisë mbajti mbledhjen e 127-të
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), më 12.08.2024, ka mbajtur mbledhjen e 127 në të cilën i ka shqyrtuar dhe ka marrë vendime për raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të [...]
Përfundoi me sukses deklarimi i 3005 mësimdhënësve në Platformën e AKA-së E Akreditimi
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) më 02.08.2024 konfirmoi se deri në afatin e fundit ligjor 31.07.2024, ka përfunduar me sukses procesi i aplikimit për akreditim/riakreditim të institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e [...]